Prishtina është rikthyer furishëm në Superligë pas pauzës për shkak të ndeshjeve të kombëtares. Bardhekaltrit kanë shënuar fitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në duel me Besën, me rezultat bindës 4:0, në kuadër të javës së 6-të. Më i merituari për këtë fitore të Prishtinës ishte sulmuesi Otto John, i cili realizoi “hat-trick”. Skuadra e Zekirja Ramadanit u tregua këmbëngulëse që nga fillimi i ndeshjes dhe qysh në minutën e 3-të kaloi në epërsi nëpërmjet John. I njëjti futbollist gjeti rrugën e rrjetës edhe në minutat 25’ dhe 59’, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Mërgim Pefqeli në minutën e 75-të. Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Drenica e befasoi Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke e mposhtur me rezultat 1:0. Golin e tre pikëve të mëdha për drenicasit e realizoi Hysen Tahiri në minutën e 54-t.