E nisi edicionin me pretendime për të luftuar për titullin e kampionit, por Llapi pas 6 xhirove në Superligë është ngulitur në pozitën e fundit të renditjes me vetëm 1 pikë. Disfatën e pestë në këtë edicion llapjanët e drejtuar nga Tahir Batatina e pësuan në shtëpi kundër Drenicës, ku vendosi një gol i Hysen Tahirit. Pas ndeshjes timonieri i Llapit theksoi se fati ia ka kthyer shpinën skuadrës së tij.
“Gjithmonë kur nuk shënon atëherë pëson. Edhe në këtë ndeshje kemi pasur mundësi të shënojmë por fati na e ktheu shpinën. E dhamë maksimumin tonë, por portieri ishte heroi i Drenicës në këtë takim dhe ua solli tri pikë. Po kemi telashe në konkretizimin e goditjes finale, derisa pësuam gol nga një gjuajtje e lehtë në të cilën portieri jonë ka pasur mundësi ta pret”, ka thënë Batatina, i cili paralajmëroi ndryshime në ekip. “Në këtë ndeshje kemi pasur ndryshime, por mendoj se ende duhet të ndryshojmë disa gjëra. Në ndeshjet e ardhshme do të shikojmë të bëjmë diçka më ndryshe në repartin sulmues sepse diçka nuk po funksionon”, ka shtuar Batatina. Në mesjavë Llapi do të udhëtojë në Pejë ku do të ballafaqohet me skuadrën e parafundit në renditje, Besën.