Shkëndija e Tetovës ka marrë një fitore të madhe si mysafire e Vardarit, duke e mposhtur këtë të fundit me rezultat 5-1 në kuadër të kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Pjesa e pare ishte e mrekullueshme. Kishte shumë raste dhe gola. Vardari që e nisi më mirë, kaloi në epërsi herët, në minutën e 11-të me golin e Jovan Popzlatanov. Sidoqoftë, Shkëndija u kthye menjëherë në lojë me golin e bukur të Florent Ramadanit në minutën e 15-të. Vardari kishte të paktën 3-4 raste për gol, por fat dhe pritjet e Zahov, bën që Shkëndija të ruajë rezultatin.
Kur skuadrat përgatiteshin të shkonin në dhomat e zhveshjes, Shkëndija shënoi përmes Valon Ahmedit, që shënoi me një gjuajtje precize (2-1).
Në pjesën e dytë tetovarët shënuan edhe tri herë të tjera. Besart Ibraimi i vetmuar nuk e kishte të vështirë të shënonte për 3-1. Ky është goli i tij i tetë në këtë sezon.
Edhe pas këtij goli, ambiciet e Vardarit u zbehën, ndërsa Shkëndija ishte ajo që këmbënguli për të rritur epërsinë.
Në minutën e 80-të, Ibraimi asistoi bukur për Enur Totren i cili i vetëm, tundi rrjetën për 4-1. Në minutën e 85-të tetovarët fituan penallti, ku nga pika e bardhë Ahmedi ishte i saktë për 5-1. Pas kësaj fitoreje Shkëndija mbetet lider me 21 pikë, ku ka gjashtë fitore dhe tri barazime.