Kanë kaluar disa javë nga Klasikja e Francës, por sfida mes Marseille dhe PSG vazhdon të shkaktojë polemika pas sherrit të zhvilluar në fushën e lojës mes Neymar dhe Alvaro Gonzales.
Ky i fundit është kthyer të flasë në lidhje me ngjarjen, duke shpjeguar atë që ka ndodhur në fushë dhe çfarë i kanë thënë njëri-tjetrit gjatë ndeshjes.
Siç ka bërë të ditur Daily Mail, lojtari i Marseille ka thënë se braziliani e ka provokuar gjatë gjithë ndeshjes.
“Neymar më ka thënë se në një ditë fiton aq sa unë fitoj në një vit, dhe është e vërtetë. I kam thënë se isha shumë i kënaqur me rrogën time, por e gjithë ndeshja ka qenë plot me provokime”.
Neymar është ndëshkuar me karton të kuq dhe është skualifikuar për dy ndeshje sepse ka goditur Alvaro-n e Marseille, më pas është folur për racizëm.
Alvaro ka shtuar: “Neymar nuk meriton asgjë. As respektin tim, as ndonjë gjë tjetër. Kam kaluar një periudhë shumë të komplikuar pas asaj që ka ndodhur. Si unë, ashtu edhe familja ime. Po t’i kisha thënë diçka, besoj se do të ishte parë në të gjithë telekamerat”.
Lojtari ka marrë edhe disa kërcënime. Edhe për familjen e tij.
“Në të gjitha gjuhët. Kanë ardhur rreth dy milionë mesazhe, dikush edhe më ka kërcënuar se do të vinte të më vriste. Neymar ka një ndikim të madh dhe besoj se nuk është i vetëdijshëm për atë që mund të shkaktojë me veprimet e tij”.
Të dy lojtarët janë shpallur të pafajshëm nga akuzat reciproke për homofobi dhe racizëm.