Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi nuk ka se si të mos jetë i kënaqur me paraqitjet e skuadrës së tij në këtë fillim të edicionit në Superligë. Fitorja 5:0 ndaj Drenicës në shtëpi bën që portokallezinjtë ta përforcojnë pozitën e parë në renditje pas javës së 5-të me 13 pikë, duke e arsyetuar edhe në këtë edicion epitetin e pretendentit për titull.
“Ndeshje shumë e mirë nga skuadra ime. Të them të drejtën që nga fillimi lojtarët i u qasën mirë lojës. Kemi kualitet dhe lojtarë të mirë që luajtën mirë. Sot jam jashtëzakonisht i lumtur. Rezultati ndoshta ishte më i thellë se sa u prit por ky është futbolli”, deklaroi Munishi për Art Sport.
I pyetur se pse ai kërkonte koncentrim të madh nga futbollistët edhe kur rezultati ishte i thellë, ai u përgjigj: “Ndodh në trevat ballkanike që lojtarët të duan të shënojnë kur jemi duke fituar thellë por duhet të kemi kujdes pasi nuk guxojmë të na bije loja ashtu, mendoj se është më shumë te vetëkënaqësia se sa te diçka tjetër”, u shpreh Munishi.