Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e ditës së mërkurë në kuadër të xhiros së katërt në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani ka shënuar fitore ndaj Llapit në kryendeshjen e javës, teksa e ka mposhtur në stadiumin “Zahir Pajaziti” me rezultat 3-1. Mirlind Daku me dy gola dhe Blendi Baftiu me një tjetër ishin katalizatorë të fitores së tretë sezonale të skuadrës së Ismet Munishit, i cili tashmë merr kryesimin e kampionatit.
Fitore tejet të rëndësishme ka regjistruar edhe Trepça ’89 pasi që në shtëpi mposhti Prishtinën me rezultat minimal 1-0. Golin e vetëm në ndeshje e realizoi futbollisti Arbnor Muja nga penaltia.
Drita ka kryer detyrën përballë Besës së Pejës pas fitores së realizuar në shtëpi me rezultat 3-1. Kastriot Rexha me dy gola dhe Hamdi Namani me një tjetër kontribuan në fitoren e parë sezonale për kampionët në fuqi.