Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina është shprehur i kënaqur që skuadra e tij as pas javës së 4-t në Superligë nuk ka pësuar humbje. Pas barazimit të sotëm me Feronikelin 0:0, skuadra e Morinës mbetet në pozitën e parë me 8 pikë.
“Jam shumë i kënaqur me atë çfarë po tregojnë këta djem prej ditës së parë në stërvitje e deri më sot nga ndeshja në ndeshje. Kjo është një eksperiencë e re prej shumicën e tyre. Djemtë po e kryejnë punën në mënyrën më të mirë dhe përgëzimet shkojnë vetëm për ta”, ka theksuar Morina për Art Sport, transmeton Futbolli.info. “Ne kemi transferuar disa lojtarë të cilët i kemi njohur prej Superligës dhe tre nga jashtë, të gjithë këta lojtarë i kemi afruar me dëshirën që me t’ia bashkëngjisim kontingjentit të atyre futbollistëve që kanë luajtur me Arbërinë në Ligën e Parë dhe me qëllimin për ta krijuar një skuadër sa më kompakte. A do ta kemi fatin e Flamutarit që kryesoi renditjen për disa javë në edicionin e kaluar por më pas ra nga elita? Nuk është që Flamurtari gjithçka ka humbur në fushën e lojës. Ne punojmë për me qenë ekip stabil dhe këta djemtë e kanë treguar këtë me punën e tyre. Ndeshja e radhës me Gjilanin? Shkojmë të bëjmë lojën tonë dhe të japim më të mirën. Është diçka e re për këta djemtë të luajnë çdo tri-katër ditë, por deri më tash e kanë kryer me sukses punën”, ka nënvizuar Morina.