Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, ka vizituar sot Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin kanë diskutuar për projektet që janë në interes të përbashkët në fushën e kulturës, trashëgimisë, sportit e rinisë.
Në kuadër të sportit ministrja Dunoshi sqaroi se MKRS-ja është prezent me investime kapitale, siç është projekti i palestrës sportive në Greme të Ferizajt, kompleksin e fushave të tenisit, pishinën gjysmë-olimpike, por projekti më i rëndësishëm të cilin e paralajmëroi ministrja është ndërtimi i stadiumit të ri të Ferizajt.
“Bashkë me kryetarin Aliu u pajtuam që të nisim procedurat për projektin e ndërtimit të një stadiumi të ri të Ferizajt. E dimë që është stadiumi i vjetër në Ferizaj dhe ne do të mundohemi që të punojmë edhe aty ashtu që t’u japim mundësi sportistëve dhe komunitetit që të zhvillojë gara. Por është vlerësim dhe kërkesë e Ferizajt që të ndërtohet stadiumi i ri me standarde ndërkombëtare”, shpjegoi ministrja.
Nga ana e tij, kryetari Aliu e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen e projekteve që realizohen në Ferizaj.