Luis Suarez më në fund “vulosi” largimin e tij të hidhur nga Barcelona, pasi thuhet se ra dakord për ndërprerjen e kontratës në “Camp Nou”. Pavarësisht interesit afatgjatë nga Juventusi, duket se Atletico Madrid është destinacioni tjetër i karrierës për sulmuesin uruguajan, sipas RAC.
Dhe largimi i parashikuar i Suarez do të çojë tek Atletico Madridi zhvendosjen e ish-sulmuesit të Chelsea, Alvaro Morata, i cili tani do të kthehet te Juventusi në huazim. Suarez ishte pritur gjerësisht për t’u transferuar te “Zonja e Vjetër”, pasi trajneri i ri, Ronald Koeman, ia bëri të qartë se nuk ishte pjesë e planeve të tij.
Suarez kaloi një provim të italishtes në Perugia, javën e kaluar, në mënyrë që të fitojë kombësi të dyfishtë, sepse Juventusi nuk kishte më vend për lojtarë jo nga BE në këtë merkato, pas ardhjeve të Arthur Melo dhe Weston McKennie. Për këtë shkak, Andrea Pirlo pranoi në fundjavë se transferimi i tij do të ishte i vështirë.
Mosrealizimi i transferimit të tij te Juve ka lejuar që Atletico Madridi të ndërhyjë, sepse Diego Simeone kërkon ta çiftëzojë Suarez me Diego Costa përpara. Efekti domino përfshin edhe Alvaro Morata, që do të kthehet në Torino edhe një herë. Spanjolli kaloi dy sezone te Juve, midis viteve 2014 dhe 2016. Ai ishte pjesë e ekipit që arriti në finalen e Ligës së Kampionëve më 2015.