Ish-futbollisti i Lirisë, Agim Bytyçi kishte privilegjin por edhe përgjegjësinë e guximin që në korrik të vitit 1991 të marrë drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Sot ai është 76-vjeç dhe është i lumtur që tërë ajo punë e bërë nga veprimtarë të shquar të futbollit ka dhënë rezultatet e duhura, ngase tashmë futbolli i Kosovës është pjesë e barabartë me të gjitha shtetet tjera në UEFA e FIFA. Pa kontributin dhe sakrificën e asaj gjenerate të futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, punëtorëve e drejtuesve të klubeve dhe donatorëve nuk do të ishte e mundur vazhdimësia e futbollit të Republikës dhe arritja e finalizimit të këtij projekti, shkruan Futbolli.info.
29 vjet pas asaj periudhe Bytyçi kujton ditët e para të krijimit të Federatës së pavarur.
“Rrethanat kur nisëm të vepronim për krijimin e një sistemi të pavarur të garave nga ai jugosllav ishin të vështira, por me nismën dhe ndihmën e shumë veprimtarëve aritëm të organizohemi dhe ta krijojmë atë që sot njihet botërisht, Federatën e Futbollit të Kosovës. Gjithçka nisi me mbledhjen e mbajtur në restaurant Rugova në kryeqytet. Masat e dhunshme si në çdo sferë tjetër ishin instaluar kudo edhe në futboll, por ne dëshmuam se dimë të organizohemi dhe të bëjmë gara edhe në kushte të tilla të represionit. Isha i priveligjuar që delegatët e atij Kuvendi themelues ma dhanë besimin për kryetar, të cilin post e ushtrova deri në vitin 1995”, ka rrëfyer kryetari i parë i FFK-së.
Ai mburret me gjeneratën e sakrificës, e cila i dha rrugë zhvillimit të metejmë të futbollit të Kosovës, derisa është i lumtur që kontributi i tyre po çmohet e respektohet edhe tani kur Kombëtarja e Kosovës është shndërruar në simbol uniteti e krenarie për popullin dhe shtetin e Kosovës.
“Është gjë e mirë kur nuk harrohet puna e paraardhësve dhe çmohet sakrifica e asaj gjenerate, ngase kanë merita të mëdha për punën e bërë në mbajtjen gjallë të futbollit. Tani FFK në krye me Agim Ademin dhe Eroll Salihun po ecën në rrugën e duhur, derisa Kombëtarja po na bën të mburremi me futbollin dhe shtetin tonë. Shpresoj që do të shijojmë edhe shumë suksese në të ardhmen”, ka shtuar Bytyçi.