Presidenti i FFK-së, Agim Ademi duke folur për tenderin rreth dhënies në shërbim të drejtës televizive të Superligës ka treguar se kompania “Digitalb” e cila e kishte ekskluzivitetin e elitës së futbollit kosovar për një dekadë i ka ende borxh federatës, teksa ka thënë se gjithçka rreth procesit të përzgjedhjes së ofertuesit më të mirë ka qenë në rregull.
“Duhet pasur parasysh se tenderët janë konkurrencë dhe në këtë rast FFK është vetëm servis i klubeve, ngase të gjitha mjetet nga të drejtat televizive shkojnë për klubet e Superligës. Ne e kemi bërë tenderin ashtu siç kërkohet në Kosovë dhe nuk e kemi përjashtuar askënd. Thjesht Digitalbi nuk ka aplikuar dhe nuk e di si mund të thonë se jemi përjashtuar. Nëse ata nuk i kanë plotësuar kriteret e tenderit kjo është tjetër gjë. Me Digitalb kemi bashkëpunuar deri më tash, por duhet ta keni parasysh se edhe sot e kësaj dite kjo kompani ende i ka borxh Federatës 155 mijë euro. Ne ua kemi nda klubeve pjesën e mjeteve nga fondet tona dhe ende nuk i kemi marrë paratë nga Digitalb”, ka thënë Ademi në “Arena Sportive” në RTK, përcjell Futbolli.info. Të rikujtojmë se sivjet të drejtën ekskluzive të Superligës e ka fituar ArtMotion, me shifrën prej 380 mijë eurosh, që është 69,5 përqind më e lartë se shifra paraprake nga Digitalb.