Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës sot pritet ta kenë një takim në Ministrinë e Shëndetësisë, ku edhe mund të vendosin për fatin e kampionatit nëse do të nisë me 12 shtator ashtu siç ishte paralajmëruar apo do të shtyhet.
Gjendja me pandeminë koronavirus në Kosovë edhe pse vazhdon të mbetet e rënduar, gjithsesi në ditët e fundit ka shënuar një rënie sa i përket të infektuara.
Kjo sikur dha shpresa se garat mund të nisin, por megjithatë dilemat janë të mëdha.
Trajneri i mirënjohur kosovar Afrim Tovërlani, ka thënë se personalisht mendon se kampionati duhet të nisë, pasi nëse shtyhet duke i parë edhe pauzat që do t’i kenë gjatë ndeshjeve të Kombëtareve, atëherë futbollistët do të jenë shumë të ngarkuar ku duhet të luajnë çdo tri ditë dhe kjo mund ta rrezikojë shumë shëndetin e tyre.
“Personalisht mendoj që kampionati duhet të fillojë”, ka thënë fillimisht Tovërlani për “Zeri.info”, duke shtuar.
“Duhet gjithsesi të bëhen testet për COVID-19 dhe kjo besoj se mund të kryhet shumë shpejt. Sa i përket përgatitjeve, ekipet janë të përgatitura sepse ka një muaj që të gjithë stërvitin”, ka vlerësuar trajneri i Feronikelit i cili mendon se shtyrja mund të ketë pasoja.
“Nëse shtyhet do të jetë edhe më vështirë, sepse janë 18 ndeshje kampionale dhe dy të Kupës. Pastaj pauza shkaku i Përfaqësueses, do të hyjmë në dimër dhe të zhvillojmë ndeshje çdo tri ditë. Kjo do të jetë katastrofale për shëndetin e futbollistëve. Do të ketë lodhje dhe lëndime. Pra kështu mendohet për shëndetin?”, ka përfunduar Afrim Tovërlani.