Faustino Asprilla kritikoi bashkatdhetarin e tij, James Rodríguez, për transferimin tek Evertoni, të cilin e konsideron “një klub që nuk shkon dot përtej mesit të tabelës”: “Ah, këto vendimet e James… Ai nuk donte të qëndronte te Bayerni (për sezonin 2019-2020) sepse ishte shumë ftohtë në Gjermani; u kthye te Real Madridi për të ngrohur stolin dhe tani ka përfunduar tek Evertoni. Mendoj se është më ftohtë në Liverpool sesa në Mynih. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj atë”, – tha legjenda kolumbiane e futbollit për “Blu Radio”.

Ish-ndërkombëtari historik i Kolumbisë iu është referuar kështu disa deklaratave të James, në të cilat pohonte se ka vendosur të mos vazhdojë në ekipin bavarez: “Megjithë trajtimin spektakolar nga klubi, gjermanët janë njerëz shumë të ftohtë. Të jetosh atje nuk është e lehtë. Është e vështirë, sepse bën ftohtë deri në -20 gradë. Për mua ishte shumë e vështirë. Kishte ditë kur shkoja në punë në orën 9, ndizja makinën dhe shihja temperaturën -28 gradë. Pyesja veten: Çfarë po bëj këtu, në këtë të ftohtë?”
Në këtë kuptim, Asprilla, në të kaluarën futbollist i Parma, Newcastle dhe Palmeiras, shtoi: “Unë nuk e kuptoj James, sepse bën të kundërtën e asaj që duhet”. Ndërkohë, siç raportohet nga media kolumbiane këtë javë, Everton i Ancelotti ka fituar të drejtat sportive të James, duke nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me “Toffees”, edhe pse kjo lëvizje nuk është zyrtarizuar ende.