Ka qenë duke dhënë konferencën për shtyp para gazetarëve, kur Edi reja ka marrë lajmin e keq se Marash Kumbulla është dëmtuar dhe nuk mund të vijë në kombëtare për dy kualifikueset e shtatorit, në Ligën e Kombeve, ndaj Bjellorusisë dhe Lituanisë: “Tani më njoftuan është dëmtuar Kumbulla. Dje ishte mirë, sot u dëmtua. Çfarë mund të bësh në një situatë të tillë? Edhe Laçi ka probleme. Ndoji kishte dalë pozitiv, teksa ishte duke drekuar”.
Ndërkohë, drejtori sportiv i Lazio, Igli Tare, ka bërë të ditur se bardhekaltrit janë tërhequr nga gara për 20-vjeçarin shqiptar të Verona. Por, mënyrat e merkatos janë të pafundme. Presidenti i Hellas Verona, Maurizio Setti, dha një intervistë për “TuttoMercatoWeb”, ku adresoi çështjen e shitjes së të riut shqiptar.
Ja fjalët e tij: “Ka shumë negociata dhe interesime për Kumbullën, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ta shohësh atë të përfundojë në një klub të shkëlqyeshëm do të ishte një mundësi e madhe për djaloshin, por nëse qëndron me ne, nuk është problem. Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm dhe jemi të lumtur ta mbajmë te Verona”.