Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar sot një takim të profilit të lartë.
Ademi u prit nga kryeministri i vendit, Avdullah Hoti. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Ademi njoftoi se nga Hoti ka kërkuar lejimin e stërvitjeve për shkollat dhe klubet e futbollit.
Postimi i plotë:
“Miq të dashur, sot, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri, sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu dhe drejtuesit e “Dardanëve” ishim në takim tek kryeministri i vendit, Avdullah Hoti.
Presidenti Ademi dhe kryeministri Hoti
Gjatë këtij takimi, e falënderova kryeministrin Hoti për mbështetjen që institucionet e vendit i japin FFK-së dhe futbollit në përgjithësi. Me kryeministrin diskutuam për gjendjen aktuale rreth pandemisë, për dëmet që iu shkaktuan klubeve tona pjesëmarrëse në garat evropiane, për dy ndeshjet e radhës të Kombëtares, si dhe për nevojën e investimeve në infrastrukturën e stadiumeve të qyteteve dhe menaxhimin e objekteve sportive, me theks të veçantë të stadiumit ‘Fadil Vokrri’.
Po ashtu, kryeministrin e njoftova për përgatitjet rreth fillimit të kampionatit të ri, me ç’rast e adresova edhe kërkesën për lejimin e stërvitjeve për klubet dhe shkollat e futbollit, e cila ndërlidhet ngushtë me fillimin e kampionatit në kohën e paraparë më 12 shtator. A. A.”.