Manuel Pellegrini, trajneri i Real Betis, i cili gjithashtu ka drejtuar Real Madridin, Manchester City, Malaga dhe Villarreal, ndër shumë të tjerë, konsideron se mënyra me të cilën Ronald Koeman ia komunikoi Luis Suárezit faktin se nuk është në planet e tij, përmes telefonit, është “mungesë respekti”.
“Personalisht, nuk më duket e saktë, – tha trajneri kilian në një intervistë për ESPN. – Një trajner duhet të ketë bindjen dhe përparësinë që të flasë ballë për ballë me lojtarin dhe t’i tregojë atij se pse nuk vazhdon më tej. Unë kam përvoja të tilla personale në pankinë. Më është dashur ta bëj shumë herë dhe më ka dhembur, por ta komunikosh një vendim të tillë përmes telefonit më duket mungesë respekti për trajnerët dhe lojtarët”.
Në lidhje me gjithë problematikën e krijuar nga kjo çështje, kiliani i referohej rëndësisë së përdorimit të “autoritetit” para futbollistëve, në vend të “fuqisë”: “Autoriteti duhet përdorur në raport me lojtarin, për të qenë në gjendje të bëni atë që dëshironi. Kjo arrihet dita-ditës me dialog, me punë dhe me bindje në momente negative”.