Pas mbarimit të huazimit dhe blerjes përfundimtare nga Interi, PSG përqendrohet fuqishëm te Mauro Icardi, edhe nëse për të thënë të vërtetën në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, argjentinasi mbeti në pankinë. Por, pas largimit të Edinson Cavani, ai është qendërsulmuesi i parë i PSG-së. Dhe si demonstrim i faktit, që Icardi është në qendër të projektit parizien, klubi i dhuron fanellën me numër 9 ish-kapitenit të Interit.
Fanellë që deri më tani i përkiste Edinson Cavani. Icardi lë kështu numrin 18, i cili e shoqëroi atë në sezonin e parë si lojtar i PSG. Megjithatë, ishte një vit i rëndësishëm për të, duke qenë se fitoi titujt e parë të karrierës, Ligue 1 dhe dy kupat kombëtare. Tani, një kapitull i ri nis për të me fanellën numër 9, e njëjta që e kishte dalluar atë në shumë vite të kaluara tek Interi.