Avokati Besnik Berisha, i cili ishte avokat mbrojtës i presidentit të FFK-së, Agim Ademi në çështjen e tij gjyqësore, është deklaruar rreth vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme, e cila këtë proces e ktheu në pikën zero, duke i anuluar vendimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit, të cilat kishin shqiptuar masën e dënimit për kreun e FFK-së, për një rast të ndodhur në vitin 2012. “Që nga fillimi është pritur një vendim i tillë për shkak se Gjykata e Apelit për një arsye ose tjetër i ka mbyllur sytë për shkeljet që i ka bërë Shkalla e Parë dhe kjo u korrigjua nga Supremja e që besoj se është vendim i drejtë, por i vonuar. Çështja është kthyer në pikën zero dhe janë anuluar të dyja gjykimet që nënkupton që duhet nga e para”, ka theksuar avokati Besnik Berisha.