Federata e Futbollit e Gjibraltarit ka bërë të ditur që do të ndihmojë në të gjitha aspektet klubin e Lincoln, pas anulimit të ndeshjes ndaj Prishtinës për herë të dytë.
Federata e Gjibraltarit ka njoftuar se ka shtyrë mbledhjen virtuale të planifikuar për të hënën, pasi që është përgatitur të ndihmojë klubin e Lincoln Red Imps, në lidhje me anulimin e ndeshjes ndaj Prishtinës, përcjellë Olle.
“Për shkak të ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në kualifikueset për Ligën e Evropës midis Lincoln dhe Prishtinës, Federata e Gjibraltarit ka vendosur të shtyjë takimin dhe të përqendrojë përpjekjet e saj për të ndihmuar Lincolnin gjatë kësaj kohe”, ka njoftuar Federata.
Kjo e fundit është treguar shumë e matur me zhvillimet e së shtunës, duke mos i komentuar fare ato.
Sipas mediave të atjeshme, UEFA mund të marrë sot vendimin për fatin e ndeshjes.
Kujtojmë që Prishtina këmbëngulë që autoritetet e Gjibraltarit e kanë anuluar takimin, fakt që mund të ndikojë shumë në vendimin e Komisionit Disiplinor.