Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka uruar Gjilanin për debutimin e suksesshëm në garat evropiane, ku ka nënvizuar vështirësitë që ka kaluar skuadra gjilanase për shkak të testeve për Covid-19. Skuadra e drejtuar nga Gentjan Mezani, sonte, në San Marino e mposhti Tre Pennen, me rezultat 3:1, duke kaluar në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues, ku do të ballafaqohet me skuadrën e madhe qipriote, Apoel Nikosia.
“Shumë stres e peripeci për ditë të tëra, por në fund gjithçka shpërblehet me debutim të suksesshëm të Gjilanit në Europa League.
Përgëzoj futbollistët, stafin teknik, drejtuesit e klubit dhe ‘Skifterat’ për fitoren e parë evropiane kundër skuadrës Tre Penne nga San Marino (3:1) dhe kualifikimin në rrethin e parë të kësaj gare.
Përpara me guxim e besim për sukses edhe në ndeshjen e ardhshme kundër Apoel Nikosia në stadiumin tonë mitik ‘Fadil Vokrri’!”, ka shkruar presidenti Ademi në mesazhin e tij të urimit për gjilanasit.