Martin Kayongo-Mutumba është një futbollist, që kurrë nuk e ka “kafshuar gjuhën” e tij. Suedezi me origjinë nga Uganda ishte një nga lojtarët skandinavë, që shpesh diskutonte mbi situatën e emigrantëve të gjeneratës së dytë ose të tretë, duke shpjeguar se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një pakice atje. Një histori që është në thelb ajo e Zlatan Ibrahimovic. Edhe kolosi i Malmö i ka përsëritur vazhdimisht vështirësitë e atyre që kishin një mbiemër jo shumë suedez dhe jetonin në rrethinat e Rosengård, jo saktësisht një zonë fisnike e qytetit.
Por, në autobiografinë e tij, “Sinqerisht deri në fund”, Mutumba sulmon veteranin e Milanit, duke e përshkruar jo saktësisht pozitiv. Të paktën… nga pikëpamja sociale. Sipas Mutumba, i cili lindi në lagjen Rinkeby të Stokholmit, angazhimi i Ibrahimovic për përmirësimin e jetës në periferitë e Suedisë nuk është i vërtetë: “Jashtë fushës, lojtari i Milanit nuk ka bërë kurrë asgjë, që me të vërtetë të jetë kontribut në përmirësimin e jetës së atyre kanë probleme si pjesë e një pakice. Ajo që keni prej tij në këtë drejtim është vetëm një imazh. Në fillim, të gjithë ishim të mahnitur, por me kalimin e kohës mbetëm shumë të zhgënjyer prej tij. Ai foli shumë, por nuk bëri asgjë për pakicat josuedeze”.
Mund të ishte edhe më keq, duke marrë parasysh që Mutumba ka akuzuar hapur kolegët e tjerë si Elmander për racizëm. Por, duke u rikthyer tek Ibra, gjykimi vazhdon për të si njeri, jashtë fushave të blerta: “Si futbollist, gishti i tij i vogël vlen më shumë se ç’kam qenë unë përherë. Atij i pëlqen të flasë për Rosengård, por le të pyesim veten mirë, çfarë bëri ai për Rosengård? Ai lejoi “Nike” të paguante për një fushë kalçetoje të vogël, të cilën erdhi më pas për ta inauguruar. Kjo është e vetmja gjë e vogël, që ai ka bërë. Pastaj ngriti një shkollë futbolli në Malmö, por e bëri këtë në pjesët më të pasura të qytetit”. Me pak fjalë, Ibra nuk kalon asnjëherë pa u vënë re, edhe kur nuk flitet për futboll. Por, siç thotë vetë 38-vjeçari, gjëja më e rëndësishme është që ne flasim për të. Për mirë apo për keq…