Përmbaruesi ia ka bllokuar xhirollogarinë FC Besa. Në fakt, klubi pejan i detyrohet 20,856 € futbollistit Kastriot Rexha. Ky i fundit tashmë e ka fituar një tjetër procedurë gjyqësore ndaj ish-ekipit të tij Besës së Pejës. Futbollisti ishte drejtuar te Përmbaruesi privat për të kërkuar marrjen e borxhit të klubit ndaj tij, raporton Sheshi. Nga kontrata e ‘firmosur’ nga dy palët, klubi i detyrohet futbollistit 20,856 euro. Tani pejanët janë të detyruar t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurave përmbarimore sipas zyrës tarifore të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës. Klubit tashmë i është bllokuar xhirollogaria bankare dhe është e detyruar që t’i shlyejë borxhin futbollistit, në të kundërtën nuk do të mund të bëj asnjë qarkullim tjetër. Rexha ishte pjese e Besës së Pejës nga viti 2014 deri në vitin 2017, derisa kishte paditur prej kohësh klubin për shkak të obligimeve të pashlyera.