Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka folur për BT Sport në fund të ndeshjes kundër Lyon-it, që ka sjellë edhe eliminimin e skuadrës së tij nga Champions League.
“Ndoshta një ditë do të arrijmë ta kalojmë distancën që na ndan nga gjysmëfinalet. Në 20, 25 minutat e para kemi pasur vështirësi për të gjetur hapësira në sulm”, ka thënë spanjolli.
“Pjesa e dytë ishte OK. Mendoj se ishim më mirë, por në këtë kompeticion duhet të jesh perfekt”.
Në lidhje me faullin e mundshëm të pësuar nga Aymeric Laporte në aksionin që solli golin e dytë të Lyon-it:
“Nuk dua të flas për këto gjëra. Duket sikur po ankohem dhe po kërkoj justifikime”.
“Kemi bërë shumë gjëra të mira, por nuk ka mjaftuar. Kemi bërë gabime në zonën e rreptësisë në momente vendimtare”.
Në lidhje me rastin e humbur nga Sterling: “Në këto situata duhet të barazohet për ta çuar ndeshjen në kohën shtesë, por më pas ne pësuam të tretin dhe ndeshja mbaroi. Kemi krijuar më shumë raste dhe kemi bërë më shumë gjuajtje”.
“Jemi të zhgënjyer. Tani do të shkojmë me pushime. Më pas duhet të ngremë moralin e lojtarëve kur të kthehen përsëri në klub”.
Në lidhje me ecurinë në Champions: “Ndonjëherë duhet ta thyesh këtë barrierë të gjysmëfinaleve. Skuadra e ka merituar në vitet e fundit. Ndoshta do të arrijmë ta bëjmë një ditë”.