Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se Blend Baftiu do të largohet nga klubi i Ipko Superligës sepse ka shumë oferta nga klube të huaja, derisa e ka mohuar se ai do t’i bashkohet klubit austriak Rapid Wien.
Në javën e fundit është përfolur se për Baftiun ka interesim të madh nga klube të ndryshme evropiane, përfshirë gjigantët e Turqisë, Galatasaray dhe Besiktas, si dhe më së fundmi Rapid Wien.
Por trajneri i tij te Ballkani, Munishi e ka mohuar se 22-vjeçari do t’i bashkohet klubit austriak.
Në një reagim në Facebook, Munishi e konfirmoi largimin e mesfushorit sulmues duke i uruar fat në hapin e radhës në karrierë.
“Nuk shkon në Rapid. Shkon dikun tjetër, unë e di nuk flas por pak ka rendësi , kryesorja ka shumë oferta dhe i i ka njerzit shumë te sukseshem që e përfaqësojnë, Shkumbin Qorrmemeti dhe Haris Fakic”, shkroi Munishi.
Ai shtoi: “Blendi Baftiu e njihni si futbollist fantastik si djaloshi i Artë i Ballkanit , te cilin nuk do ta shihni të luajë ne Superlig më, por besoj se ka qen e mjaftueshme atë qa keni parë. Por une do ta mbajë në mend si lojtarin me karakterin me fisnik që kam pas ne karierën time si trener .Te du fort ti e dinë Blendi. Rrugë të mbarë Loqkaman”.