Kryetari i Flamurtarit, Imer Ademi, ka lëshuar mori akuzash në drejtim të gjyqtarit Dardan Çaka dhe klubit të Prishtinës.
Flamurtari u mposht 1:0 nga Gjilani, ndërsa humbja e tyre dhe fitorja e Trepçës ’89 2:1 ndaj Prishtinës, bënë që Flamurtari të largohet nga Superliga.
I pari i Flamurtarit pretendon se skuadra e tij u dëmtua për dy penallti në takimin e djeshëm.
“Ështe marre ajo çka ndodhi. U pa qartë prej fillimit që Çaka ishte tendencioz, duke provokuar lojtarët tanë prej fillimit, si dhe shtabin teknik, derisa nuk akordoi dy penallti. Madje ai as që konsultohej me gjyqtarët tjerë për ato raste”, ka thënë Ademi për Gazetën Olle.
“Më vjen keq që një gjyqtar me të ardhme korruptohet kaq herët. Me dëmtimet që na bëri ai tregoi se ishte i korruptuar”, shtoi Ademi.
Ai komentoi edhe sfidën e shumëpërfolur Trepça ’89 – Prishtina.
“Turp prej një klubi të madh, më të madhit në Kosovë të bëjë gjëra të tilla.Po ta bënte ndonjë klub i Ligës së Parë nuk do të mërzitesha, por ta bëjë një montim të tillë Prishtina, vërtetë është për keqardhje. Futbolli luhet edhe në Ligën e Parë dhe ne do të organizohemi dhe të kthehemi pas një viti”, shpreh mllefin e tij Ademi.
Flamurtarit në dy vitet e ardhshme do t’i prijë trajneri Jusuf Tortoshi.
“Me Tortoshin jemi marrë vesh sot dhe ai do ta drejtojë skuadrën në dy vitet e ardhshme”.