Trajneri më i trofeshëm kosovar, Afrim Tovërlani, i është kundërpërgjigjur paraardhësit të tij te Feronikeli, Agim Sopit.
Ky i fundit akuzoi Feronikelin për matematika të shumta këtë sezon, duke shtuar se me të në krye të skuadrës, klubi s’do të mund të bënte kaq shumë kalkulime.
I njohur për deklarata kontraverse, tekniku prishtinas ironizoi hapur me Sopin dhe tha se nuk e njeh fare se kush është ai.
“Më falni, por s’kam koment për të. Nuk e di se kush është ky. A ka fituar ndonjëherë ndonjë trofe? Zakonisht, kush fiton tituj e kupa, gjinden lehtë në Google. E kërkova por nuk po e gjejë këtë zotëriun”, deklaroi Tovërlani për Olle.
Pas ardhjes së Tovërlanit te Feronikeli, klubit iu shtua oreksi për daljen në Evropë sepse fillimi ishte shumë i mirë, megjithatë ai objektiv ishte i paarritshëm.
Në krye me Tovërlanin, Feronikeli pritet të luftojë për titullin kampion në edicionin e ardhshëm.
Ndërkohë, ish-trajneri i Feronikelit, Agim Sopi, për Sheshin ka theksuar se ka mbetur i befasuar për të keq me futbollin kosovar. Ai thotë se presioni i madh i klubeve në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe gjyqtarët e ndeshjeve ka bërë që niveli të ulet për fat të keq. Thotë se disa ndeshje nuk do t’i harrojë asnjëherë në jetë.
“Në Kosovë është liga më e korruptuar në Evropë. Klubet bëjnë presion të madh te gjyqtarët dhe Federata, po flas për këtë pjesën se çfarë kam parë unë. Nuk do t’i harroj skenat e ndeshjeve nga stoli i kundërshtarëve. Presione të tilla nuk kam parë asnjëherë në karrierën time. Nuk e di se si gëzohen disa trajnerë me fitore të tilla se çfarë po i arrijnë tash. Ata e dijnë shumë mirë se si i kanë fituar ato ndeshje dhe si mund t’u flasin futbollistëve, kur e dijnë se si kanë fituar. Personalisht nuk do të qëndroja as pesë minuta në ato situate, nëse veçse do më kishte kërkuar dikush diçka tjetër përpos fitores. Është marre e madhe se çfarë po ndodh në futbollin kosovar”, theksoi Sopi.