Shumë e diskutuar ishte ndeshja mes Trepçës 89 dhe Llapit të shtunën, në kuadër të javës së 31-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Takimi përfundoi me rezultat 5-4 në të mirë të mitrovicasve, por me kthesë të bujshme në rezultat në kohën shtesë, teksa përballja vazhdoi për 100 minuta.
Dyshimet u ngritën menjëherë pas vërshëllimës së fundit, duke u nënvizuar fakti se deri në minutën e 90-të Llapi po avanconte 4-3, por nikoqirët arritën që në kohën shtesë të përmbysnin gjithçka dhe të triumfonin, shkruan Periskopi.
Ish-futbollisti kosovar, Fidan Hasani shprehu bindjen e tij në kurdisje me anë të një postimi në Facebook, ku shkroi:
“Super ndeshja qe as DigitAlb nuk e dha direkt Trepça ’89 – Llapi që u luajt 100 minuta. Miqësore, vëllazërorë, që u kthy në hendboll, po u luajtën 100 minuta e në fund u kry 5:4”, ka shkruar Hasani.
“Por kujdes, ndeshja deri në minutën e 90-të ishte 4-3 për Llapi. 10 minuta shtesë, dy gola dhe fitore për Trepçen 89 Golat minutat 92 dhe 98”.
“Ai pretendenti për kryetar të FFK-së keq e ka leshu bajrakun sot. Keq se krejt Kosova e din cka din ti me ba në këso lojë…!! A keni ftyr me fol maa marreee !!!!!”.
Hasani nuk ishte i vetmi që reagoi, teksa pati edhe të tjerë që ngritën shqetësime.
Periskopi, të dielën, ka kontaktuar me Prokurorin Besim Kelmendi dhe e ka pyetur nëse është në dijeni të akuzave si dhe mbarëvajtjes së kampionatit.
“Ne si Këshill për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në sport, jemi duke përcjellur secilën informatë nga cdo ndeshje, dhe jemi duke i përcjellur për verifikim dhe hetime në Prokuroritë kompetente,” u shpreh Kelmendi për Redaksinë e Sportit të Periskopit.
I pyetur nëse ka informata kredibile për një kurdisje të mundshme në ndeshjen në fjalë, Kelmendi shtoi:
“Jemi në fazën fillestare dhe Prokurori do të verifikojë informatat fillestare për të shikuar mundësinë e fillimit të hetimeve për kurdisje.”
Kujtojmë se me tri pikët e fituara në ndeshjen kundër Llapit, Trepça 89 i ka mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë dhe tash është vetëm tri pikë larg zonës së shpëtimit.
