Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, foli pas fitores fantastike kundër Bolognas me rezultatin 5-1. Ekipi i tij është në një formë shumë të mirë dhe tekniku është krenar për djemtë e tij. Ai foli mbrëmë për DAZN ku theksoi se skuadra bëri një ndeshje të madhe dhe Europa është e arritshme.
“Skuadra po shijon paraqitjet e veta, kjo është ajo që mund të shikohet nga mënyra si stërviten, si luajnë dhe si qëndrojnë gjithë kohën së bashku. Bologna është ekip i vështirë, ndaj me këtë lloj ecurie po tregojmë se kemi besim në atë që bëjmë. Nuk e kemi arritur ende objektivin, ndaj duhet të vazhdojmë të përqendruar.
“Kemi punuar mirë gjatë periudhës së izolimit, por është mentaliteti ai që e bën ndryshimin. Tani jemi një ekip, kemi besim në atë që bëjmë dhe kjo bën që gjithçka të funksionojë më mirë. Fitoret me skuadra si Lazio dhe Juventus ishin sinjali i rritjes së nivelit”.
Kessie – “Franck është një mesfushor i kompletuar, modern, i cili bën mirë në fazën sulmuese dhe mbrojtëse. Tani është në kulmin e formës dhe prania e tij në fushë është e dukshme. E gjen gjithmonë gati dhe motivon skuadrën. Ai është bërë një lider i vërtetë në skuadër”.
Zlatan – “Ai tha diçka në momentin e zëvendësimit, por ua them me sinqeritet që nuk e kuptova çfarë. Po luajmë çdo tre ditë dhe ai pati një dëmtim, ndaj është normale që duhet të pushojë herë pas here”.