Futbollisti kosovar Suad Sahiti ka sqaruar intervistën për një faqe polake e që bëri bujë gjatë të shtunës. Intervista është përcjellë nga mediat serbe, që kanë nxjerrë një deklaratë të tij për tituj bombastikë. Ndër të tjera mediat serbe kanë shkruar se “reprezentuesi i Kosovës thotë se Beogradi është shtëpi e tij”.
Në fakt një deklaratë e ngjashme i është publikuar Sahitit nga faqja polake. Ai ka lindur në Beograd.
Sahiti për KOHËN ka mohuar të ketë deklaruar në atë mënyrë.
“Në një intervistë që kam dhënë këtu në Poloni në një medium, besoj që nuk i kanë kuptuar ashtu si duhet gjërat. Pastaj mediat në Serbi mezi kanë pritur që të ndodhë diçka e tillë. Mirëpo e vërteta është që kam thënë kështu: ‘Kam lindur në Beograd, mirëpo jam kosovar dhe familja ime jeton në Prishtinë. Disa nga familjarët e mi jetojnë edhe në Beograd, si shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Beograd”, ka thënë Sahiti.
“Jan keqkuptuar disa gjëra. Pavarësisht se çka do të shkruhet dhe çka do të thuhet, nuk mund të ndryshojë krenarinë time për familjen dhe prejardhjen time’, ka shtuar Sahiti.