Situata epidemiologjike në Kosovë ka qenë e rënduar në javët e fundit, derisa kryeqyteti, Prishtina ka qenë qyteti me numrin më të madh të rasteve me COVID-19.
Tashmë, koronavirusi ka prekur edhe futbollin, derisa në mbrëmjen e djeshme (e premte) u raportua për një rast pozitiv me COVID-19 te klubi i .
“Zeri.info” e ka kontaktuar presidentin e Flamurtarit, Imer Ademi i cili e ka konfirmuar rastin me COVID-19 në klubin prishtinas, derisa ka treguar edhe emrin e futbollistit.
“Gentrit Begolli ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Që katër ditë nuk ka qenë i pranishëm në stërvitje. Ka pasur simptoma, dhimbje koke, është larguar nga stërvitjet, është testuar dhe ka dalur pozitiv”.
Megjithatë, Ademi ka bërë me dije se edhe vetë ai është i infektuar me COVID-19, derisa ka thënë se testi nuk i është bërë bashkëshortes së tij, pasi nuk ka pasur simptoma, pavarësisht kontaktit.
“Po ndodhin edhe në familje kur dikush po rezulton pozitiv me COVID-19, por që pjestarët tjerë të familjes nuk po i testojnë pa pasur simptoma. Unë për vete jam pozitiv, që dy javë jam në izolim. Dhe bashkëshortes nuk ia kanë bërë testin. Duhet me pasë shenja apo simptoma për të bërë teste, nuk po bëjnë më për kontakt”, deklaroi të shtunën Imer Ademi për Zërin.
Ndryshe, deri më tani, në futbollin kosovar, pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar një rast te Drita, një te Vushtrria, dy te Flamurtari si dhe një gjyqtar.