Skuadra e Llapit është mysafire e Trepçës ’89, në duelin e vlefshëm për javën e 31-të në Superligë.
Takimi zhvillohet të shtunën nga ora 17:00, në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë.
Para kësaj sfide për inFokus ka folur trajneri i Llapit, Tahir Batatina.
Tekniku llapjan ka paralajmëruar ‘minatorët’ , duke kërkuar triumf në këtë ballafaqim.
Madje Batatina synon tri fitore në tri xhirot e fundit për të përfunduar në pozitën e 5-të, pasi siç thotë nuk po mund ta sheh Llapin në vendin e 6-të.
“Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, duke e parë pozitën e Trepçës ’89, por ne jemi të kompletuar si skuadër dhe kërkojmë të jemi sa më lartë në tabelë, ti marrim tri fitore radhazi dhe të renditemi tek 5 skuadrat e para, sepse është viti i parë pas rikthimit të Llapit në Superligë që jemi në pozitën e gjashtë në tabelë, ku nuk po mundem ta shoh Llapin këtu, sepse gjithmonë kemi qenë tek tri skuadrat e para dhe në luftë për titull”, deklaroi Tahir Batatina.
Para kësaj përballje Llapi renditet i 6-ti me 42 pikë, ndërsa Trepça ’89 e 9-ta me 35 sosh.