Luhen sot, në orën 17:00, katër sfida në IPKO Siperligën e Kosovës, që mbyllin javën e 30-të. Në dy takimet hapëse të këtij raundi, Gjilani-Drenica 2-0 dhe Prishtina-Drita 1-1, vëmendja ishte e përqendruar në garën për titull, ndërsa sot, dueli më i rëndësishëm është pa dyshim Llapi-Flamurtari, pasi përplasen dy ekipe që duan t’i largohen sa më parë zonën së ftohtë. Takimet e tjera janë Dukagjini – Trepça ’89, Feronikeli – FC Ballkani dhe Vushtrria – Ferizaj.
Sa i përket takimit që do të zhvillohet në Podujevë, kujtojmë që Llapi ka patur një ecuri negativë pas pauzës për shkak të Koronavirusit. Fitorja 4-1 ndaj Dukagjinit u pasua nga 4 humbje dhe 2 barazime, që kanë vënë pikëpyetje çuditërisht edhe qëndrimin në elitë. Nga ana tjetër. Flamurtari ka 3 barazime e po kaq fitore në 6 takimet e fundit, rezultate që e kanë larguar nga zona e ftohtë.
Feronikeli – Ballkani është një tjetër takim i rëndësishëm, sepse ka lidhje me garën e ashpër që po zhvillohet në krye të renditjes. Skuadra nga Suhareka do të kërkojë me çdo kusht fitoren në këtë transfertë për të rimarrë vendin e dytë dhe ngushtuar në vetëm 3 pikë diferencën me Dritën kryesuese.
Nuk paraqet ndonjë interes të veçantë Vushtrria – Ferizaj, pasi me pozicionet aktuale asgjë nuk do të mund të ndryshojë, pavarësisht rezultatit të këtij takimi.
Java 30 (ora 17:00)
Llapi-Flamurtari
Dukagjini – Trepca ’89
Feronikeli – Ballkani
Vushtrria – Ferizaj