Goli i shënuar nga Astrit Fazliu në minutën e 80-të ia siguroi Dritës një pikë tejet të rëndësishme në derbin kundër Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të javës së 30-të në Ipko Superligë. Në fakt, barazimi i sotëm Dritën e afron edhe më shumë te titulli i kampionit, teksa Prishtina tashmë rrezikon seriozisht ta sigurojë edhe pozitën e dytë që dërgon në Evropë. Të parët në epërsi kaluan bardhekaltrit e kryeqytetit me golin e shënuar nga Endrit Krasniqi, në minutën e 6-të, me një gjuajtje të fortë nga distanca. Megjithatë, festën e prishtinasve e prishi Astrit Fazliu 10 minuta para përfundimit të ndeshjes kur u gjend në vendin e duhur pas harkimit nga këndorja dhe nga afërsia çoi topin në rrjetën e Haxhos.