Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku e ka pranuar se pas barazimit të sotëm me Dritën gjasat e skuadrës së tij për të luftuar për titull thuajse janë venitur.
“Gjasat tashmë janë zvogëluar shumë. Në çdo ndeshje kemi potencuar se luajmë për tre pikë, kishim mungesa sot në mesfushë me Zybën dhe Ahmetin dhe ndoshta kjo nuk na dha mundësi të freskohet ky repart i yni”, tha fillimisht Dallku.
“Bëmë një lojë të mirë, kishim edhe një penallti dhe për mendimin tim, ajo nuk na u dha, e që ishte 100 për qindtë, por kjo të mbetët në ndërgjegje të arbitrit. Ne kemi pasur raste që nuk na u dhanë penallti si në Podujevë dhe këtu ndaj Drenicës, dhe ky ishte rasti i tretë që nuk na jepet në favor tonin. E me sa kam informata ndaj Dritës nuk janë dhënë penallti në 2-3 vitet e fundit dhe sa më kanë thënë, ishte Florent Hasani që iu ka shënuar i fundit nga 11 metra e i cili luan tashmë në Hungari”, përfundoj Dallku.