Arbnor Morina nga sezoni i ardhshëm do të jetë trajneri i klubit të Arbërisë. Klubi nga Dobraja e Lipjanit pasi siguroi ngjitjen në elitën e futbollit tonë, ka filluar të përforcohet duke bërë një marrëveshje të bujshme me trajnerin e njohur Morina.
Morina në një prononcim për Objektiv ka deklaruar se me të përfunduar sezoni aktual do ta lirojë pozitën e drejtorit sportiv në Flamurtar.
“Arbëria më ka besuar që të jem trajner për sezonin e ardhshëm. Më duhet të them se kjo marrëveshje u mundësua edhe falë kryetarit të Flamurtarit, Imer Ademit, pasi unë kam një kontratë afatgjate me klubin kuqezi. Por, pasi ia sqarova ofertën e Arbërisë u pajtua që unë të dorëhiqem. Arbëria ka një projekt interesant dhe do të punojmë në detaje për të ndërtuar një skuadër interesante. Pra, unë në fund të sezonit do largohem nga Flamurtari”, ka thënë Morina.
Ai në këtë sezon ka ndihmuar klubin kryeqytetas nga pozita e drejtorit sportiv.
Arbëria e Dobrajës së Lipjanit për herë të parë do të garojë në Superligën e Kosovës, pas një sezoni fantastik në Ligën e Parë.
Morina më parë ka punuar me klube si Prishtina, Vushtrria, Gjilani, Besa dhe së fundmi te Flamurtari.