Keqi: Nuk po dimë ta menaxhojmë lojën kur jemi në epërsi!

173

Kryetrajneri i Flamurtari, Sunaj Keqi, është shprehur i lumtur me fitoren e arritur kundër Dukagjinin (4-3), por ka shprehur brengën e tij për numrin e madh të golave që po i pëson skuadra e tij.

“S’mund t’i fajësoj lojtarët, në këtë vapë 30-32 gradë çdo katër-pesë ditë me luajt është vështirë, unë kam qenë kundër këtij orari. Po luajmë çdo katër pesë ditë për këta lojtarë është njëfarë brenge e lodhje. Po i shoh edhe në stërvitje”, theksoi fillimisht Keqi për “Super Sport Kosova”.

“Edhe pse ishim në epërsi 4-1, na është bërë si sëmundje dhe nuk po dimë ta menaxhojmë lojën deri në fund dhe kundërshtari po na dënon me 2-3 kundërzbritje. Mendoj se ka qenë një fitore e merituar, patëm më shumë raste se Dukagjini edhe pse ata luajtën pa brenga” përfundoi Keqi.

Flamurtari aktualisht ndodhet në pozitën e gjashtë të renditjes me 40 pikë, por nuk mund të flejë rehat, duke pasur parasysh se në katër javët e mbetura e presin ndeshje të vështira.