Kryetrajneri i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, pas barazimit të papritur kundër Vushtrrisë në shtëpi natyrshëm është shprehur tejet i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës së tij, e cila tashmë ia ka vështirësuar dukshëm vetes punët për mbetje në elitë.
“Duke e parë renditjen tabelore nuk na duhet ky barazim, jemi përgatitur për fitore, por futbolli është sport i bukur dhe kur nuk angazhohesh ndëshkohesh, por edhe portieri i tyre e kishte ditën e tyre”, theksoi fillimisht Idrizi për “Super Sport Kosova”.
Tutje Idrizi ka folur për gjasat e ‘minatorëve’ në luftën për mbijetesë kur kanë mbetur edhe katër javë deri në mbyllje të kampionatit.
“Na është vështirësuar puna, por asgjë nuk është e përfunduar dhe unë besoj që 89-shi do të jetë në Superligë”, përfundoi Idrizi.
Trepça ’89 aktualisht ndodhet në pozitën e nëntë të renditjes me 35 pikë, pozitë kjo që e dërgon në një rang më të ulët të garave.