Kryetrajneri i FC Dritës, Ardian Nuhiu, ka mbetur tejet i kënaqur me fitoren të cilën futbollistët e tij e realizuan në një udhëtim të vështirë siç është ajo ndaj Llapit në Podujevë (0-4), raporton Sheshi.
Tekniku i gjilanasve u ka dhënë gjithë kreditet e merituara futbollistëve të tij, derisa potencoi se kjo ishte njëra ndër ndeshjet më të mira që kanë zhvilluar këtë edicion.
“Një ndeshje e vështirë, por kur brenda skuadrës ke shumë futbollistë kualitativ atëherë gjithçka bëhet më e lehtë. Lojtarët zhvilluan pothuajse një ndeshje përfekt, dhanë gjithçka nga vetja e tyre dhe kjo fitore është plotësisht e merituar për ta”, deklaroi fillimisht Nuhiu për “Super Sport Kosova”.
Nuhiu gjithashtu foli edhe për çështjen “Leci”, derisa sqaroi gjithë situatën e ndodhur para ndeshjes.
“Liridon Leci ka ndjerë një shqetësim në seancën e fundit stërvitore dhe sot nuk desha që ta rrezikoja duke mos e futur në formacion. Por, duke ditur egon e madhe dhe dëshirën që ka për të luajtur nuk deshi të qëndronte jashtë fushës dhe prandaj nuk ishte pjesë e 18-shes. Mirëpo, ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për Dritën dhe ne kemi nevojë për të”, përfundoi Nuhiu.
Drita vazhdon të kryesojë kampionatin me 61 pikë, katër më shumë se përcjellësi i parë Prishtina.