Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të KF “Trepça’89”, Abedin Zeka në emisionin sportiv “Favorit” në T7. Ky i fundit gjatë këtij emisioni theksoi se sekretari i FFK-së ia konfirmuar atij se UEFA i ka dërguar letër federatës për t’ia kërkuar presidentit Agim Ademi largimin nga pozita ose ta zgjidhë problemin me drejtësi. Megjithatë, Salihu i ka hedhur poshtë pohimet e Zekës, duke i quajtur dezinformata.
Reagimi i plotë i Eroll Salihut
Me përgjegjësi të plotë konfirmoj se në FFK nuk ka ardhur asnjë shkresë lidhur me Presidentin Ademi e as që kam biseduar me ndonjë zyrtar për këtë gjë, pasiqë vetëm Presidenti dhe KE janë vendimmarrës dhe kompetent për këtë.
UEFA e njeh situatën që nga kuvendi i fundit i cili la përshtypje të keqe te përfaqësuesit e UEFA-s e të FIFA-s dhe ka kontakt të drejtpërdrejtë me Presidentin Ademi dhe ai na informoi se situata do të sqarohet shumë shpejt.
Shpresoj se këto dezinformata mos të përsëriten sepse dëmtojnë besueshmërinë tek njerëzit e futbollit.
Me respekt,
Sekretari i Përgjithshëm
Eroll Salihu