Kanë përfunduar tri ndeshjet e sotme të xhiros së 26-të në Ipko Superligë. Flamurtari ka lëshuar fitoren nga duart në duelin tejet të rëndësishëm kundër Trepçës’89 në Mitrovicë, duke u detyruar në fund të pajtohet me barazim 1:1. Në fakt, kuqezinjtë e kryeqytetit ishin në epërsi që nga minuta e 33-të me golin e shënuar nga Bashkim Shala. Megjithatë, kur u mendua që Flamurtari do të hedhë një hap gjigant drejt mbijetesës në elitë, Muharrem Jashari shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca kur po zhvillohej minuta e 97-të, duke barazuar shifrat dhe duke i mbajtur gjallë shpresat e Trepçës’89 për t’iu shmangur rënies nga liga. Kësisoj, edhe pas kësaj ndeshje Flamurtari ruan epërsinë prej 5 pikëve ndaj ‘89-shit. Ndërkohë, Drita ka shënuar fitoren e radhës, duke e mposhtur Vushtrrinë në udhëtim me rezultat 4:0. Xhevdet Shabani (1’), Betim Haxhimusa (22’), Astrit Fazliu (80’) dhe Kastriot Rexha (82’) ishin golashënuesit e këtij takimi. Fitore si mysafir realizoi edhe Gjilani në Klinë në duel me Dukagjinin, me shifrat 3:1, duke e ruajtur hapin me liderin për titullin e kampionit. Keita Razak (2’), Arbër Shala (autogol,6’) dhe Fiton Hajdari (67’) shënuan për Gjilanin, derisa golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Abu Kamara (9’).