Dita e djeshme për futbollistin e talentuar, Arbër Hoxha ishte nga më të rëndat prej se merret me futboll. E gjitha kjo, pasi ylli kosovar ka dëmtuar ligamentet e këmbës dhe tashmë është i pashmangshëm operimi. Vetë futbollisti Hoxha për Olle ka konfirmuar lajmin se nesër në ora 10:00 të mëngjesit pritet të futet në sallë të operimit dhe më pas do të jetë ajo mungesa e gjatë prej afro pesë ose gjashtë muajsh larg fushave.
Ndërsa për operimin e Hoxhës ka folur edhe ortopedi i famshëm, Qerim Kida, i cili do të jetë mjeku që do ta operojë talentin kosovar.
“Gjendja e gjurit të tij është normale dhe i përgjigjet lëndimit, por është më mirë sesa lëndimet që i përcjellin futbollistët”, tha fillimisht Kida.
“Sa i përket procedurave të trajtimit, lojtari do t’i nënshtrohet operimit i cili do të jetë nesër dhe mungesa e tij jashtë fushe pritet të jetë individuale por ne do t’i caktojmë një protokoll të arkivimit i cili do të jetë për 6 muajt e ardhshëm ku do të trajtohet me terapi fizikale dhe pas këtyre muajve do të vendosim për procedurat tjera lidhur me të”, tha Kida.
Vetë Hoxha gjatë ditës ka komentuar edhe lëndimin e tij, por edhe pankartën e bërë gjatë ditës së djeshme në duelin ndaj 89-shit.
“Ka qenë një moment i vështirë duke parë edhe pankartën që u shfaqë për mua dhe në ato momente unë dhe familja ime shpërthyem me lot, por ky është futbolli dhe duhet pajtuar me realitetin”.
Tutje, Hoxha konfirmojë interesimin e Federatës së Futbollit për të, ku tha se është kontaktuar si nga i pari i FFK-së, por edhe nga pjesa tjetër e kombëtares, të cilët i kanë ofruar mbështetje.
“Jam kontaktuar nga presidenti Agim Ademi, por gjatë ditës së djeshme më kanë kontaktuar edhe trajnerët e Kosovës si Muharrem Sahiti e Genc Hoxha, po ashtu interesimi ka qenë edhe nga ana e menaxherit të Kosovës, Bajram Shala i cili është interesuar për gjendjen time, ndërsa edhe nga U-21 të Kosovës më kanë kontaktuar dhe dua t’i falënderoj që të gjithë”, përfundoj Hoxha.
Ky i fundit, këtë vit shkëlqeu në fanellën e Ballkanit, dhe gjatë verës pritej një transferim i tij jashtë Kosovës.