Drenica ka zbritur më këmbë në tokë pas fitores në xhiron e kaluar në Podujevë, derisa këtë vikend është mposhtur në shtëpi nga Flamurtari 1-2, raporton Gazetasheshi.
Pas ndeshjes trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu për “Super Sport Kosova” është shprehur shumë i zhgënjyer me këtë humbje e cila i ka fituar në një situatë bukur të keqe në luftë për mbijetesë.
“Vazhdimisht u kam kërkuar lojtarëve të jenë shumë të përqendruar dhe nëse dëshirojnë fitore duhet angazhim maksimal e assesi ta marrin ndeshjen e lehtë pas atyre dy rezultateve të mira që kishim në dy ndeshjet e para.
Flamurtari me meritë fitoi, ndërsa për ne është një humbje shumë e keqe, ku them se edhe barazimi na ka konvenuar. Si i kemi fituar pikët edhe i humbëm dhe tash na mbetet të luftojmë shumë. Ja kemi vështirësuar shumë vetës punët e me këtë humbje”, ka thënë Sejdiu.
Drenica mbetet në pozitën e shtatë të renditjes tabelore me 32 pikë, por e pret një luftë tejet e vështirë në garën për mbijetesë.