Kryetrajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, ka mbetur i kënaqur me fitoren të cilën e realizuan të besuarit e tij në duel me Vushtrrinë (3-0), raporton Gazetasheshi.
Tekniku i ‘kuqebardhëve’ thekson se fitorja ishte e rëndësishme, pasi që Vushtrria është një kundërshtarë tejet i papërshtatshëm, duke marrë parasysh mënyrën se si ka luajtur në ndehshjet e fundit.
“Vushtrria nuk është një skuadër e lehtë për ta mposhtur, pasi që është një skuadër pa presion dhe me futbollistë të ri që kërkojnë të dëshmojnë vetën. E morëm më stresuese pjesën e dytë, pasi që kundështari fitoi disa minuta terren, por me realizimin e golit të dytë morën gjërat nën kontrollë dhe mbyllëm me sukses ndeshjen”, deklaroi Mezani për “Super Sport Kosova”.
Më pas Mezani ka folur edhe për mungesën e tifozëve në shkallët e stadiumit, teksa ka kërkuar mirëkuptim nga institucionet qendrore për t’i lejuar ata të futen brenda, pasi që duke qëndruar në objektet afër stadiumit mund ta rrezikojnë edhe veten e tyre.
“Ne luajmë për veten tonë natyrisht sepse jemi profesionistë por luajmë edhe për tifozët. Gjej rastin t’i falenderoj tifozët, pasi që na kanë mbështetur vazhdimisht. Janë një forcë e madhe për ne vazhdimisht. I falenderoj për mbeshtetjen, pasi që janë lojtari i 12-të. Shpresoj që qeveria do të marrë një vendim të shpejtë për t’i lejuar tifozët të futen brenda stadiumeve. Tifozët mund të mbajnë distancën më shumë se në stadium, se të vendosen në objekte pranë stadiumit, pasi që e rrezikojnë edhe shëndetin e tyre”, ka përfunduar Mezani.
Në kuadër të javës së 26-të të Superligës, skuadra e Gjilanit udhëton drejt Klinës për t’u përballur me Dukagjinin.
Me 48 pikë, aktualisht Gjilani ndodhet vetëm katër pikë prapa liderit Drita.