Skuadra e Dritës ka realizuar fitoren e 16-të në këtë edicion, përkatësisht të tretën radhazi që pas rikthimit të kampionatit pas pauzës së gjatë si pasojë e pandemisë COVID-19. Gjilanasit fituan në shtëpi kundër Ferizajt, në ndeshjen hapëse të javës së 25-të, me rezultat 2:0, duke e përforcuar pozitën e parë në renditjen e Ipko Superligës. Mysafirët u mbrojtën mirë në pjesën e parë, por një gjë të tillë nuk e arritën edhe në të dytën. Golat për Dritën i shënuan Kastriot Rexha nga penalltia në minutën e 49-të dhe Ardian Cuculi në minutën e 77-të pas harkimit të Astrit Fazliut. Me këtë humbje, ata i kanë zvogëluar gjasat për të mbijetuar në Superligë, pasi renditen në pozitën e 10-të me 25 pikë. Në javën e ardhshme Drita është mysafire e Vushtrrisë, ndërsa Ferizaj e pret Ballkanin. Ndërkohë, nesër zhvillohen tri ndeshje, derisa të dielën dy ndeshjet e tjera.