No menu items!
Ballina FUTBOLLI VENDOR EKSKLUZIVE: FLET BABAI I ANDI ZEQIRIT; ANDI E KA ZGJEDHUR KOSOVËN!

EKSKLUZIVE: FLET BABAI I ANDI ZEQIRIT; ANDI E KA ZGJEDHUR KOSOVËN!

Një tjetër xhevahir i futbollit do t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Është ky 20-vjeçari Andi Zeqiri, qendërsulmues i spikatur i skuadrës zvicerane, Lausanne. Ai deri më tash ka luajtur në fanellën e Kombëtares U21 të Zvicrës, por që nga shtatori i këtij viti pritet të veshë fanellën dardane. Në fakt, Andi ishte parashikuar t’i bashkohej Kosovës në ndeshjen e muajit mars kundër Maqedonisë, por shfaqja e koronavirusit COVID-19 ndryshoi kalendarin e garave të UEFA-s dhe kjo bëri që të shtyhet edhe ardhja e Zeqirit. Gjithsesi, Andi pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes që nga shtatori kur do të fillojnë ndeshjet e edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Një gjë të tillë e konfirmoi në një bisedë ekskluzive për “Futbolli.info” babai i Andit, Avdi Zeqiri.

“E di që kohët e fundit është rritur presioni i tifozëve dhe është mirë që ata kërkojnë që lojtarët më të mirë me origjinë nga Kosova t’i bashkohen Kombëtares së Kosovës, megjithatë ata nuk e dinë të vërtetën sa i përket çështjes së Andit. E vërteta është se ne e kemi një marrëveshje me presidentin Agim Ademi, por situata e pandemisë ia ka pamundësuar presidentit ardhjen në Zvicër për ta nënshkruar zyrtarisht shkresën me të cilën vërtetohet se Andi do t’i bashkohet Kosovës. Pra, gjithçka ka të bëjë me problemet e ndalesës së fluturimeve Prishtinë-Cyrih. Unë mund t’iu them se 99.9 përqind kjo punë është e kryer, por meqenëse nuk e kemi vendosur ende nënshkrimin mbi letër nuk dua të them 100 përqind.
Ne. realisht jemi marrë vesh me presidentin Ademi që Andi t’i bashkohet Kosovës qysh në mars kundër Maqedonisë, por koronavirusi shtyri gjithçka”, ka theksuar Avdi Zeqiri në intervistën për “Futbolli.info”.

Ai ka thënë se më herët nuk kanë dashur të flasin shumë rreth kësaj çështjeje në mënyrë që të mos rritej edhe më shumë presioni nga Zvicra. Sidoqoftë, sipas tij tashmë Zvicra nuk ka mundësi t’ia pamundësojë Andit për të luajtur për Kosovën, por mund të ndikojë që t’ia ngadalësojë procedurën dhe t’ia humbë një apo dy ndeshje.

“Andi ka marrë vendim dhe do të jetë pjesë e Kosovës. Ai e ka edhe një ndeshje kundër Francës me  Zvicrën U21 dhe me fitore kualifikohet. Kjo i sjellë edhe dobi financiare, por aspekti financiar nuk ndikon tek Andi. Ai është shumë i vendosur dhe Kosovën e ka zgjedhur me zemër. Këtë ua ka bërë të ditur edhe zviceranëve. Të dielën në ndeshjen Basel – Lausanne, Zvicra në një mënyrë ka bërë presion, ngase përveç përzgjedhësit të Kosovës Bernard Challandes në stadium ishte edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkovic, mirëpo tashmë nuk ka asgjë që mund t’ia ndërrojë mendjen Andit”, ka shtuar babai i lojtarit.

Tutje Avdi Zeqiri ka thënë se dëshira e Andit është që t’i bashkohet sa më parë ekipit dardanë, teksa ka konfirmuar se tashmë ai është pajisur edhe me pasaportë të Kosovës.
“Për herë të parë po e bëj publike që Andi është pajisur edhe me pasaportë të Kosovës në fund të dhjetorit të kaluar. E gjithë familja po presim ta shohim në fanellën e Kosovës, por pa dyshim Andi është ai që po e pret me padurim atë ditë. Edhe familja ime në Ferizaj po e presin me padurim këtë gjë sepse të luash për flamurin e vendit tënd është diçka e papërshkrueshme. Ne jemi të vetëdijshëm se Zvicra ka dhënë gjithçka për ne, por zgjedhja e Kosovës është çështje zemre”, ka nënvizuar babai i Andit.

Ai beson se djali i tij nuk do ta ketë aspak të vështirë përshtatjen me ekipin dardanë, ngase i njeh gjysmën e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës dhe kontakton vazhdimisht me ta nëpër rrjeteve sociale. “Njëri ndër shokët e tij më të ngushtë është Benjamin Kololli, që kanë luajtur së bashku në një skuadër, por janë edhe 5-6 lojtarë tjerë që i ka shokë shumë të mirë, andaj ma merr mendja se kur të përfshihet në ekip nuk do të ketë telashe”, ka thënë Zeqiri.

Ai tutje ka thënë se merita të mëdha për vendimin e Andit ka edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili është treguar tejet i afërt në bisedat që ka zhvilluar me lojtarin dhe personalisht me të.

“Kosova është Kosovë dhe padyshim që ndjenja e krenarisë për ta veshur fanellën e kësaj kombëtare është e madhe, por ndër shtytjet më të forta që i ka pasur Andi për t’iu bashkuar Kosovës është edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Ai ka punuar jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe një ndër arsyet që përgjigja jonë ka qenë pozitive. Presidenti Ademi ka folur personalisht me mua dhe me Andin. Realisht unë nuk e kam njohur më herët, por biseda me të gjatë dy-tri takimeve ka qenë shumë e frytshme dhe në aspektin profesional ka qenë shumë pozitiv dhe shumë i afërt me Andin”, është shprehur Avdi Zeqiri. 

Andi Zeqiri qysh para disa muajve e ka veshur fanellën e Kosovës, të cilën ia ka dhuruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kurse nga muaji shtator pritet të paraqitet me këtë fanellë edhe në fushën e gjelbër

Në fund ai ka folur edhe për formën e Andit, duke treguar se pauza e gjatë si pasojë e pandemisë nuk ka ndikuar shumë tek biri i tij dhe këtë e ka dëshmuar qysh në ndeshjen e parë kundër Baselit në Kupën e Zvicrës. “Andi është në top-formë. Në ndeshjen kundër Baselit shënoi për ta ngushtuar epërsinë në 2:1, e më pas Lausanne edhe e barazoi rezultatin, derisa pesë minuta para fundit Andi e qëlloi shtyllën. Thjesht, fati nuk ishte me Lausannen për të shkuar tutje”, ka përfunduar Avdi Zeqiri./FUTBOLLI.INFO

Lini një përgjigje

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutemi shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Të fundit

MARCA shkruan për Prishtinën; Para se të vinin në Spanjë vizituan heronjtë e tyre

Sot skuadra e Prishtinës në futsall do të luaj një super ndeshje ndaj FC Barcelonës. Klubi kosovar ka udhëtuar në Barcelonë për ndeshjen e rëndësishme...

Veton Tusha prezantohet te skuadra turke Denizlispor

Futbollisti i ri kaçanikas, Veton Tusha, është prezantuar sot te skuadra turke, Denizlispor. 18-vjeçari ka nënshkruar kontratë për 3 vjet e gjysmë me klubin...

Zidane: Nuk mund të fitosh gjithmonë

Zinedine Zidane tha se mospërballja në finale të Superkupës së Spanjës me Barcelona nuk ishte një dështim për të tijtë, pasi ata u mundën...

Drejtuesi i Trepçës’89 konfirmon largimin e tre futbollistëve

Sikurse skuadrat e tjera të Superligës së Kosovës në futboll, edhe Trepça ’89 i ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror. Ekipi mitrovicas po stërvitet...

Recent Comments