Prishtina e ka rinisur në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin, pasi në kuadër të javës së 23-të ka shënuar fitore bindëse ndaj Ferizajt me rezultat 8:1.
Meriton Korenica (10’, 48’, 58’), Ahmed Januzi (30’), Diar Miftaraj (47’), Endrit Krasniqi (65’ – pen.), Otto John (70’) dhe Kreshnik Uka (78’) shënuan për Prishtinën, ndërsa golin e vetëm për Ferizajn e shënoi Altin Ibrahimi në minutën e 17-të.
Me këtë fitore kryeqytetasit janë ngjitur në pozitën e tretë, tanë me 44 pikë, dy më pak se Drita që kryeson renditjen dhe një më pak se Ballkani që gjendet në pozitën e dytë.
Ballkani dhe Gjilani kanë bërë hap fals në luftën e tyre për titullin kampion. Derisa djelmoshat e Ismet Munishit u ndalën në barazim pa gola në shtëpi ndaj Drenicës, ‘kuqebardhët’ e Gjilanit janë ndalur nga ‘minatorët’ e Trepçës ’89 për herë të tretë këtë edicion.
Derisa në ndeshjen në Suharekë nuk u realizua asnjë gol, në sfidën tjetër në Gjilan u realizuan dy të tillë. Vendasit realizuan përmes Fiton Hajdarit në fundin e pjesës së parë nga një penallti e dyshimtë, ndërkohë që mysafirët barazuan në pjesën e dytë përmes Arb Manajt.
Përderisa Ballkani dhe Gjilani bëjnë hapa fals në luftën për titull, Drenica dhe Trepça ’89 marrin pikë të rëndësishëm në luftën për mbijetesë.
Rezultatet:
Ballkani – Drenica 0:0
Gjilani – Trepça ’89 1:1
Drita – Flamurtari 1:0
Feronikeli – Vushtrria 3:1
Llapi – Dukagjini 4:1
Prishtina – Ferizaj 8:1