Në rrjetin social Facebook janë publikuar disa foto nga suksesi i grupmoshës së re të KF “Kosova” (P) në një turne në Francë në vitin 1995. Në fakt, fanpage Presidenti Agim Ademi ka publikuar foto të ekipit U-10 të KF “Kosova” në turneun ndërkombëtar ku morën pjesë 38 ekipe të shteteve të ndryshme të botës. “Agim Ademi ishte kryetar i klubit dhe donator. Ai bëri gjithçka të mundur për ta dërguar ekipin në Francë, në ato vite kur gjithçka ishte e bllokuar. Turneun e organizoj veprimtarja franceze, Frederik Duversini, ndërkaq kontakt personi ishte gazetarja e mirënjohur Evliana Berani. Trajner i klubit ishte Haki Bllacaku. Ekipi kosovar zuri vendin e parë në këtë konkurencë që ishte shumë e fortë dhe u shpërblyen me kupë. Pas kthimit ekipi u prit nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova dhe përgjegjësi për sport në atë kohë, Ramë Buja.