Tash e tri ditë skuadrat kosovare janë rikthyer në stërvitje, pasi morën dritën e gjelbër nga Ministria e Shëndetësisë për të punuar në grup.
Atmosfera në klube duket e mirë, derisa edhe pse thonë se periudha është e shkurtër për t’u përgatitur, ata besojnë se deri më 7 qershor, kur edhe nis kampionati, do të jenë gati.
Njëra nga skuadrat që i nis më herët se shumë tjera ndeshjet është Feronikeli, i cili më 3 qershor do të luajë ndaj Ballkanit në kuadër të gjysmëfinales së Kupës.
“Nikli” gjatë kësaj periudhe ka heshtur shumë, gjë e cila bëri të hapen fjalë se skuadra ka probleme madje përmenden edhe problemet financiare, pasi u tha se nuk janë paguar tash e 3 muaj. Megjithatë, kapiteni Lapidar Lladrovci është i bindur se kjo skuadër do të kthehet në majë, derisa sipas tij ata preferojnë më shumë punën sesa të merren me “lojë fjalësh”.
“Periudha prej 2 muajve larg fushës ka qenë shumë e mundimshme për futbollistë, duke pasur parasysh që kemi pasur mundësi të bëjmë vetëm vrapime dhe ushtrime të forcës fizike. Ndërsa na ka munguar më e rëndësishmja, loja me topin në grup”, ka thënë fillimisht Lladrovci për “Zeri.info”, duke folur më pas për gjendjen fizike të ekipit.
“Besoj që ai ekip që e ka shfrytëzuar më mirë ‘pushimin’ dhe nuk është ndalur me stërvitje individuale do të ketë përparësi, pasi që vetëm 2 javë para ndeshjes së parë të Kupës janë të pamjaftueshme të përgatitemi, duke marrë parasysh edhe kohën e shkurtër që do ta kemi për regjenerim ndërmjet ndeshjeve, do të jetë e rrezikshme edhe për ndonjë lëndim dhe atëherë vjen në shprehje fondi i duhur i lojtarëve që e kanë ekipet për zëvendësime që të mos krijohen mbingarkesa te lojtarët dhe të evitohen lëndimet”, ka vlerësuar mbrojtësi i “Niklit”, duke folur më pas për synimet e skuadrës.
“Sigurisht që synojmë fuqishëm të dalim në Evropë nëpërmjet kupës, pasi që në kampionat diferenca është e madhe dhe më vështirë, ndërsa në kupë me 3 ndeshje mund ta arrijmë objektivin.Sa i përket heshtjes, në vitin e kaluar edhe sa ishim duke luftuar në 2 fronte prapë nuk kemi dhënë ‘fjalë të mëdha’, por jemi fokusuar tek objektivi dhe kemi qëndruar me këmbë në tokë, kjo është politikë e klubit që të mos merremi me lojë të kota fjalësh, por të koncentrohemi që të përformojmë sa më mirë në fushë”, ka përfunduar Lapidar Llapdrovci.