Gjatë ditës së sotme Ministria e Shëndetësisë ka dalë me vendim për lejimin e stërvitjeve të klubeve të Ipko Superligës, por njëherësh ka kërkuar respektim të përpiktë të masave mbrojtëse të institucioneve shëndetësore ndaj pandemisë Covid-19. Për këtë arsye, përgjegjësi i ekipit mjekësor të FFK-së, dr. Murat Berisha, sot ka mbajtur takim me stafet mjekësore të klubeve të Ipko Superligës. Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi dhe shpjegimi i stafeve mjekësore me masat e protokollit higjieno-sanitar për stërvitje dhe ndeshje në mbrojtje nga virusi Covid-19. Gjatë këtij takimi u bë edhe shpërndarja e mjeteve që shërbejnë si masë mbrojtëse nga virusi dhe për dezinfektimin e hapësirave të stadiumeve ku kryhen stërvitjet, mjete të cilat janë siguruar nga FFK-ja për të gjitha klubet e Ipko Superligës.