Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi se bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihu do të takohen përsëri me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vita për të diskutuar rifillimin e kampionatit të futbollit në Kosovë.
Në këtë takim do të marrin pjesë edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, si dhe Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj.
Gazeta Infokus nga burime të sigurta brenda federatës merr vesh se takimi do të mbahet të dielën, ku edhe do të vendoset se a do të mund të rikthehen para datës 1 qershor klubet në stërvitje.
Kujtojmë se këta përfaqësues ishin takuar edhe të mërkurën, por nuk kishin arritur marrëveshje që kampionati i Kosovë në futboll të vazhdoj para fazës së tretë të lehtësimit të masave që fillon me 1 qershor.
Ministria insiston se para qershorit nuk ka kushte për të rinisur stërvitjet e klubeve në grup, ndërsa FFK-ja po kërkon që stërvitjet të rifillojnë në muajin maj, pasi UEFA ka dhënë datën 20 korrik si datë të fundit kur duhet të përfundohen kampionatet në Evropë.